Thursday, February 18, 2016

Koma.

A e di se kush je?
A e di çfarë ka ndodhur me ty?
A do që të jetosh në këtë mënyrë?*

Koha është një enë e shpuar
lëng i hidhur rrjedh, si tëmth
pikat e bardha në fustanin e zi të gjyshes
dhe zëri i saj i butë më ndërmënd
“kujdes, kur të rrjepesh një pulë
një pikë tëmth gjithë mishin e shkon dëm”

Pula të rrjepura janë mendimet e mija
të varura të gjitha në rradhë… në çengel
kasapi mban gati satërin në duar
dhe një mace e zezë  poshtë tyre
hyn e del…hyn e del….

është errët, labirinthet janë qafa e përkulur
e një lejleku gri gati për tu prerë… pa gjak
në rrëzë të murit rënkon pëshpërimë e heshtjes
Prit edhe pak… prit edhe pak…

Enë e shpuar është koha pik pik pikon
lëng tëmthi të hidhur …herë fjetur herë zgjuar
herë dritë herë terr … herë gaz dhe herë tmerr
fluturim dhe përplasje … përplasje thërmim
koha është dhimbja e rënies së kokrrizës
në orën e qelqit … pa pushim.

Rrotullohen pulat e rjepura në varg
është errët… asnjë fije drite nuk duket nga larg
as fundin e labirinthit nuk e sheh kund
dhe me ankth pret pyetjet e pas-komës
 kur rënia të mbarojë

A e di se kush je?
A e di se çfarë të ka ndodhur?
A do që të jetosh në këtë mënyrë?

©M.P.


“ Do you know who you are? Do you know what's happened to you? Do you want to live this way?"
from : " Grey's Anatomy"

No comments: