Sunday, November 13, 2016

NGA TA FILLOJ…

nga ta filloj
për të të treguar sa shume kohë ka rrjedhur…
Mban mënd që unë kohën e masja me hënë?
Po të them që nuk mund të kujtoj
fytyrën e saj mashtruese sa herë e ka mbushur
dhe sa herë e ka ngrenë
Jam pjekur, e di?
Limoni që vjet e shkula me rrënjë nga vendlindja
dhe ilegalisht e transportova në valixhen e rrobave
ka çelur lule, së shpejti do lidhë fruta
dhe do piqet edhe ai,
ndërsa unë akoma vazhdoj
të ndjej tingujt e limfës dhe të flas me pemët.
Si të ta tregoj që jam rritur?
Mban mënd që doja të mësoja të ngrija mur?
e ndërtova. Por më pas e mbrojtur pas tij nuk gjeja dot
nëse më shumë tremb dhimbja apo vetmia.
Si të të afrohem? Nga cila udhë?
Për të të thënë që tani kam mësuar
të hap pëllëmbën e dorës
kur ndodhem në udhëkryq
dhe të shkoj në drejtim të gishtit tim tregues.
Nga ta filloj
Për të të treguar që kam ndryshuar?
Po të them që dje pashë një gjarpër
që rrëshkiste në kopshtin mbrapa shtëpisë
u ngurtësova, pa lëvizur pa bërtitur
dhe nuk e vrava.
©M.P.

No comments: