Monday, October 2, 2017

Krijim i papërfunduar



Dua të të krijoj nga Fillimi
nga hiçi, nga asgjëja,
aty ku kurrë nuk ke qenë,
por më mungon “Fjala” e më thërmohesh,
nga gishtat me rrjedh si dritë ,
sepse
nuk qënkam Zot as në imagjinatën time

Dua pastaj të të vesh atë pallton e zezë
gjitha përqafimet e dashura
me të i kam të veshura së fundmi
por se vapa vjen shpejt
me angështi dhe miza
mbi trupat e zhveshur djersë

Dua të të mbërthej në cep të trotuarit
nën një neon të madh që dritë rrjedh
një mbrëmje me shi dhe fëshfërima monotone
netë të ngrohta qielli idhnak,
por vizatimin ma grisin vetëtimat
dhe gjithmonë mbeten dy gjysma
qe nuk ngjajnë

Dua të të pres tek kafeneja
me dritare të mëdha mbi udhë
kafe duke gjerbuar
ndoshta verë dhe kikirikë
Por kohën ma mat feniksi i vogël
që më zgjon çdo mëngjes në dritare
me këngën e tij
dhe ndërsa e vras ngadalë
ai vetëdigjet për t’u ringjallur mëngjesin tjetër
të vijë përsëri pas xhamit
aty ku unë i zë pritë çdo ditë


©M.P.

No comments: