Thursday, April 19, 2018

Së prapthi




…Megjithate, shkriu bora, e di?
në udhëkryqin
ku nuk më prite dhe nuk të prita.

Një cift të dashuruarish panë me habi
se si kafeja servirur në filxhan të çajit
në cep të tavolines lënë
lëshoi avull dhe u ftoh
në kafenenë ku nuk shkuam.

E qeshura jote dhe e imja bashkë, e di?
U marrosën!
Rendën vrap buzë lumit
pas gjurmëve tona
në udhëzën ku nuk ecëm.

Shtrëngimi krahut tënd si degë ulliri u rrit
dhe fletë lëshoi në parkun ku nuk shkelëm.

Puthja, frymë
nga e cila ti rrodhe tek unë e unë tek ti,
dhe u gjëndëm krejt papritur në botët
e panjohura të njëri tjetrit të shtangur…
Ajo puthje ka hedhur rrënjë brenda nesh
dhe ushqehet në muzgun e purpurt
ku nuk u takuam ne të dy…
Aroma dhe shija e saj mbush hapësirat
  të cilat më parë
njëherë ishe ti, njëherë unë…
por asnjëherë në të njëjtën kohë…

Të kujtohet mjegulla mbi pjergull, pisha
dhe zhurma monotone e rrëshqitjes së ujrave
që dëgjohej nga dritarja e dhomës
ku ne kurrë nuk ishim?

Shenjat mavi,
u kthyen në ventuza të errta,
që ëmbëlsisht dhimbin
në lëkurët tona që nuk u preken…

Ofshamat në spirale avujsh
varen në pemët anës udhëve të ndryshme
që nuk i kaluam bashkë.
………………………………………………………………
Ndodhi nje eklips i paparë më parë
errësuam njëri tjetrin…
ftohtë, lagështi, terr, erë…
Disa ditë u shkëputen nga kalendarët
ranë dhe humbën për gjithmonë…

©M.P.

No comments: